Java e të Mësuarit Gjatë Gjithë Jetës në Kosovë – edukimi që i shërben çdo moshe dhe çdo etape të jetës

Gjatë kësaj jave, në disa komuna të Republikës së Kosovës – përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën,Vushtrrinë, Mitrovicën e Jugut, Kamenicën, Ferizajn, Gjakovën dhe Podujevën – do të mbahen aktivitete të shumta promovuese që synojnë afrim të qytetarëve me mundësitë e të mësuarit.

Në kuadër të kësaj iniciative, institucione të ndryshme anëtare të Rrjetit për Arsimin e të Rriturve në Kosovë (ALE NK – Adult Learning and Education Network in Kosova), OJQ dhe organizata tjera do të prezantojnë ofertat e tyre edukuese dhe trajnuese. Aktivitetet do të zhvillohen si brenda objekteve të organizatave anëtare, ashtu edhe në sheshet kryesore të komunave, ku qytetarët mund tëinformohen drejtpërdrejt mbi programet e disponueshme.

Qëllimi – një shoqëri e aftë, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme

Duke promovuar qasje gjithëpërfshirëse ndaj edukimit – formal, joformal dhe informal – Java e të Mësuarit Gjatë Gjithë Jetës synon të sigurojë që çdo qytetar i Kosovës të ketë qasje në njohuritë dheaftësitë e nevojshme të shekullit XXI.

Pjesëmarrja në këto aktivitete nxit:

● zhvillim profesional dhe personal,

● rritje të mundësive për punësim,

● përmirësim të cilësisë së jetës,

● pjesëmarrje aktive në komunitet,

● dhe krijimin e një shoqërie më të fortë dhe më të qëndrueshme.

Java e të Mësuarit Gjatë Gjithë Jetës është një ftesë e hapur për të gjithë të rritur, të rinj, profesionistë,punëkërkues, mësimdhënës dhe qytetarë të çdo profili për të zbuluar mënyra të reja të zhvillimit dhe për të qenë pjesë e rrugëtimit drejt një të ardhmeje më të ditur dhe më gjithëpërfshirëse.