Hoti: Prishtina po rrit numrin e turistëve përmes aktiviteteve dhe festivaleve, një vizitor shpenzon mesatarisht 150 euro në ditë

Kryeqyteti i Kosovës po shfaqet si një nga qendrat më dinamike të zhvillimit turistik në vend, falë rritjes së aktiviteteve kulturore, koncerteve, festivaleve dhe eventeve ndërkombëtare.

Kështu u shpreh Baki Hoti nga Unioni i Turizmit të Kosovës në “Përballje Podcast”, duke theksuar se ky model tashmë është duke u ndjekur edhe nga komuna të tjera të vendit. Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS.

Rritja e aktiviteteve, sipas Hotit, nuk ndikon vetëm në numrin e vizitorëve, por edhe në kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre: “Dhe kjo, përpos që e rrit numrin e turistëve, e rrit edhe numrin e netëqëndrimeve,” u shpreh ai.

Hoti bëri të ditur se ndikimi ekonomik i secilit vizitor është i qartë dhe i matshëm: “Një vizitor në Kosovë mesatarisht shpenzon njëqind e pesëdhjetë euro brenda njëzet e katër orëve.”